Presidenti Ilir Meta i ka bërë apel partive politike që në zgjedhjet e ardhshme lokale, të vendosin më shumë gra dhe vajza kandidate.
“Statistikat flasin se kemi më shumë vajza dhe gra në administratën publike dhe për këtë duhen përgëzuar vetë ato sepse në radhë të parë është një meritë e tyre dhe kërkesat e larta që kanë për edukimin dhe trajnimin e vazhdueshëm .
Më shumë sesa barazia gjinore apo diskriminimi pozitiv, sidomos në politik-bërje dhe në politikë, duhet të vlerësojmë asetet intelektuale dhe profesionale të grave dhe vajzave në karriere, të cilat kanë qenë në lartësinë e përgjegjësive të pozicioneve të larta publike që kanë mbajtur.
Në diskursin tonë të ekzagjeruar politik dhe në mjedisin tonë social me doza maskiliste, nuk është e lehtë për një zonjë, për një nënë në karrierë, të angazhohet në jetën politike apo në shërbimin publik, pa çeduar nga përgjegjësitë dhe barrën familjare që ka ndaj bashkëshortit dhe fëmijëve.
Duke shfrytëzuar rastin, më lejoni të bëj një apel për të gjitha institucionet shtetërore, për Parlamentin, për shoqërinë civile, për botën akademike, për mediat apo për sektorin privat të biznesit – që t’i japin prioritet më shumë në punën e tyre respektimit të lirive dhe të drejtave të grave dhe vajzave, sidomos të kontribuojnë në fuqizimin social dhe ekonomik të tyre.
Gjithashtu, nuk mund të lë pa përmendur rëndësinë që ka promovimi i sa më shumë modeleve të suksesit të grave dhe vajzave në politikën aktive, përfshirë edhe zgjedhjet e ardhshme vendore ku shpresoj të kemi më shumë kandidate të zonja për të garuar si Kryetare Bashkish apo për të qenë në drejtimin e këshillave bashkiake”, u shpreh Meta në forumin “Gratë në shërbimin publik, zbatimi i të drejtave, realitete e sfida në vendimmarrje”.