Këtë prag fundjave, znj. Hajdarmataj nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me rektorin e kolegjit Universitar Luarasi, z. Ethem Ruka. Marrëveshja sipas tyre synon që të dy insituticionet të bëjnë përpjeke konkrete për të motivuar të rinjtë e për t’i fuqizuar ata për një përfshirje aktive në shoqëri.
“Problemi i gruas shqiptare është pak i veçantë dhe të gjithë jemi të interesuar që gratë që përbëjnë gjysmën e popullsisë të kenë vendin e merituar në biznes, në parlament, në institucione, kudo,” tha z.Ruka. Sipas tij, “I zoti dhe e zonja është ai apo ajo që jo vetëm çan për vete, por ndërmerr një lëvizje që çon të tjerë në destinacionin e duhur. Idetë novatore kalojnë më parë përmes universiteteve, ndaj jemi këtu për të zhvilluar njerëz dhe ide”.
Ai theksoi se kemi një brez që ka nevojë të motivohen dhe tek gratë, motivimi më i mirë vjen nga ato gra që kanë arritur suksesin dhe shërbejnë si model për një gjeneratë të tërë.
“Kjo është edhe arsyeja që po startojmë këtë cikël marrëveshjesh bashkëpunimi me universitete, pasi ky është vendi i duhur për të nisur përmbushjen e misionit tonë, për të ndërgjegjësuar të rinjtë e të rejat të bëhen pjesë e përfshirjeve të rëndësishme në vend, duke filluar nga lufta ndaj korrupsionit, ndërmarrja e reformave, apo proceset e integrimit.”