Kolegji universitar “Luarasi” ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me qendrën “Gratë në Shërbimin Publik”. E frymëzuar nga Kombet e Bashkuara për fuqizimin e gruas, ish-deputetja Mimoza Hajdarmataj ka hapur Qendrën “Gratë në Shërbim Publik”. Ajo beson se Shqipëria ka me gra dhe vajza të afta, kurajoze dhe plot ide. Tek ‘Luarasi’ Hajdarmataj shpreh bindjen se ka gjetur vajza të cilat janë aset për çdo forcë sfere të jetës.
Shumëkush e pranon se në Shqipëri shumica e grave dhe vajzave nuk kanë mundësi të promovohen dhe të garojnë me kushte të drejta gare, pasi shpesh hasen me mjedise të pafavorshme madje armiqësore. Këtë e pohon edhe rektori i Luarasit, profesor Ethem Ruka, por shprehet se kjo qendër është burim frymëzimi për fuqizimin e studenteve.
“Komunikoni me studentët, me vajzat e reja që janë pjesë e Universitetin tonë, pasi kanë nevojë që të motivohen. Kush shikon gra që janë histori suksesi dhe që se kanë pasur të lehtë të kapin suksesin, shërben si model për një gjeneratë të tërë”, tha Ruka.
Shefja e departamentit të Ekonomiksit, Aelita Mani thotë se kjo marrëveshje merr rëndësi të veçantë pasi studentet e ‘Lurasit’ do të inkurajohen për të qenë pjesëmarrës në çdo nivel vendimmarrje të shërbimit publik. “Studentët tanë, nesër apo sot në bankat e shkollës, mund të ofrojnë kontributet e tyre pse jo duke ndërthurur aktivitetet e qendrës “Gratë në Shërbim Publik” që ka në fokus të rinjtë dhe të rejat, me jetën sociale, ekonomike, të studentëve tanë, pranë Luarasit. Aktivitete dhe marrëveshje të tilla i japin rrugë studentëve tanë dhe profesorëve që të japin kontributin e tyre në jetën publike. Në vendimmarrje dhe në shërbim të komunitetit në përgjithësi” pohoi Mani.
Qendra beson se fuqizimi i vajzave dhe grave nëpërmjet edukimit dhe aftësimit profesionale do te ndryshoje Shqipërinë e si pasojë thotë drejtuesja e qendrës ‘Gratë në Shërbimin Publik’ do të kemi me pak probleme me dhunën me izolimin dhe me prapambetjen.