Drejtoresha e Qendrës së Grave në Shërbim Publik, Mimoza Hajdarmataj iu ka shpjeguar studentëve sesi mund të fuqizohet roli i grave dhe vajzave nëpërmjet edukimit. Ajo e vlerëson Luarasin si një universitet model për vlerat që përcjell në shoqëri.
“Ne jemi shumë të nderuar që ishim këtu dhe ndamë informacione me studentët e universitetit Luarasi. Kemi moto fuqizimin nëpërmjet edukimit dhe është pikërisht ky universitet i cili tashmë po jep shembull për vlerat që përcjell, studentët janë shumë të angazhuar dhe jo vetëm në botën akademike por edhe në aktivizmin. Ne kemi një marrëveshje bashkëpunimi dhe në kuadër të kësaj marrëveshjeje, organizata jonë së bashku me universitetin kemi çelur siparin e aktiviteteve”, -tha Hajdarmataj. Shefja e Departamentit të Administrim -Biznesit në “Luarasi”, dr.shk. Aelita Mani thekson se leksione të tilla përgatisin profesionalisht studentët për tregun e punës.
“Është një orë konkrete dhe në kuadër të një fushate mbarëkombëtare për sensibilizimin e brezave për dhunën kundër grave dhe vajzave. Kjo është ajo çka bën “Luarasi, pra ndërthur aspektin teknik, akademik dhe të vlerave. Kjo pasi ne i përgatisim studentët tanë për nesër, jo vetëm për të qenë teknicienë shumë të mirë, por dhe qytetarë me vlera në shërbim të komunitetit dhe të njëri-tjetrit. Mundësitë e punësimit janë pafund, dhe ne përpiqemi të përgatisim studentët tanë të shikojnë të tëra alternativat dhe mundësitë për të qenë vetëadministrues të vetes, të ardhurave dhe mundësive të punësimit”,-tha Mani.